“Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit” pjesë e “Universitetit të Sporteve të Tiranës” është një nga Fakultetet më të rinj në hapësirën e studimeve universitare në vendin tonë. Ky fakultet e ka filluar rrugëtimin e tij në vitin 2019 duke i dhënë fokus parësor, një fushe mjekësore aq të rëndësishme dhe me interes gjithmonë e në rritje, siç është ajo e “Rehabilitimit”. Hapja e kësaj njësie kryesore është mbështetur në nenin 102 të Kushtetutës së Repulikës së Shqipërisë, në pikën 5 të nenit 30 të Ligjit nr. 80/2015 “Për Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në “Republikën e Shqipërisë”.
Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit është hapur me urdhër Nr. 495 datë 11.10.2019, Nr. Prot; 7497/2, të Ministrisë së Arsimit.
Ai është i përbërë nga 3 njësi bazë që janë të miratuara nga Senati Akademik i UST-së dhe Bordi i Administrimit të UST-së, si më poshtë vijon:
- Departamenti i Disiplinave Biomjekësore dhe Humane
- Departamenti i Kineziologjisë
- Departamenti i Rehabilitimit
Emërtimi i diplomës: Diplomë “Bachelor” në “Shkenca të Rehabilitimit”
Kohëzgjatja e programit të studimit: 3 vite akademike – 6 semestra
ECTS totale: 180 ECTS
Forma e studimit: Program studimi me kohë të plotë
Shuma totale në lekë për 1 vit akademik (viti 2020-2021): 35 000 lek (Kjo vlerë mund të ndryshojë në varësi të të ardhurave dhe politikave buxhetore të Universitetit dhe Vendimeve të Bordit të Administrimit të cilat merren para fillimit të çdo viti akademik, bazuar edhe në VKM të ndryshme)
Ky Program është i ndërtuar me 21 lëndë që përmbajnë 64 module, përfshirë praktikat dhe provimin e përgjithshëm përfundimtar.
Kurrikula e plotë përmban 4500 orë për 180 kredite (ECTS). Nga ky total orësh, 2108 janë orë mësimore në auditor, duke përfshirë këtu dhe orët e praktikave mësimore dhe praktikave klinike, të cilat zhvillohen në qëndra të ndryshme të shërbimit shëndetësor publik apo privat, bazuar gjithmonë mbi marrëveshjet e bashkëpunimit midis Universitetit/Fakultetit dhe këtyre institucioneve. Studentët kanë mundësinë që të bëjnë praktika të vazhdueshme pranë laboratorëve të fakultetin tonë të pajisura me aparaturat më bashkëkohore.
Viti akademik është i organizuar në 2 semestra me 60 kredite në total që formohen nga 7 lëndë të detyrueshme vjetore. Programi permban 64 module të grupuara në 21 lëndë.
Çdo kredit është llogaritur të ketë 25 orë secili dhe sipas peshës specifike të moduleve do të zhvillohet mësimi në auditor dhe pjesa tjetër është punë e pavarur e studentit. Në vitin e parë akademik studentët kryejnë 31 javë mësimore gjithsej nga të cilat 15 javë mësimore në semestrin e parë dhe 16 javë mësimore në semestrin e dytë, ku përfshihen edhe 2 javët e praktikës ushtrimore. Në fund të çdo semestri ka 2 javë provime për secilin sezon.
Në vitin e dytë akademik studentet do të kryejnë 32 javë mësimore gjithsej nga të cilat 16 javë mësimore në semestrin e parë dhe 16 javë mësimore në semestrin e dytë, ku përfshihen edhe 2 javët e praktikës për çdo semester. Në fund të çdo semestri ka 2 javë provimesh për secilin sezon dhe 2 javë praktika klinike 1.
Në vitin e tretë akademik studentet kryejnë 31 javë mësimore gjithsej nga të cilat 14 javë mësimore në semestrin e parë dhe 16 javë mësimore në semestrin e dytë, ku në fund të çdo semestri ka 2 javë sezon provimesh për secilin sezon dhe dhe 2 javë praktika klinike 2, por edhe kryerjen e provimit përfundimtar me shkrim.
Në përfundim të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit në UST, studenti pasi ka përmbushur të gjitha detyrimet (numrin e plotë të krediteve dhe marrjen e provimit përfundimar me shkrim dhe ka shlyer të gjitha detyrimet financiare), pajiset me Diplomën “Bachelor” titullin “Rehabilitues”.
Gjithashtu në përfundim të studimeve 3-vjeçare “Bachelor” studentët pajisen me diplomë, suplementin e diplomës (në gjuhën shqipe dhe angleze), listën e notave sipas moduleve, të grupuara në lëndë (në gjuhën shqipe dhe angleze).
QELLIMET E PROGRAMIT
Programi i ciklit të parë të studimit “Bachelor” në “Shkencat e Rehabilitimit” ka për qëllim të formojë rehabilitues fizikë dhe profesionistë me njohuri të thella për trupin e njeriut, për faktorët e ndryshëm që risin rrezikun për tu prekur nga sëmundje të ndryshme, llojet më kryesore të dëmtimeve dhe procesin e programimit dhe ndërtimit të një programi ushtrimor rehabilitues sipas nevojave specifike dhe diagnozës së çdo individi.
Rehabilituesi i kualifikuar kryen:
- Vlerësimin dhe ekzaminimin gjithë-përfshirës të pacientit
- Hartimin e një plani rehabilitimi afat-shkurtër dhe afat-gjatë, në përputhje me protokollet e miratuara sipas standarteve bashkëkohore.
TE DIPLOMUARIT NE SHKENCA TE REHABILITIMIT
Njohuritë dhe kompetencat e studentëve në përfundim të programit mësimor.
I diplomuari në Bachelor në “Shkenca të Rehabilitimit”, vlerëson, planifikon dhe implementon programe rehabilitimi që përmirësojnë ose rikthejnë funksionalitetin e aftësive të humbura, përmirësojnë aftësitë e lëvizjes, lehtësojnë dhe trajtojnë dhimbjet, etj.
Rehabilituesi fizik në fund të studimeve fiton njohuri dhe aftësi për të kryer një numur të konsiderueshëm teknikash rehabilituese dhe terapish të ndryshme si: radioterapi elektroterapi, hidroterapi, masazhoterapi, kinezoterapi si dhe planifikim të programeve të rehabilitimit me anë të ushtrimeve. Gjithashtu rehabilituesi fizik në fund të studimeve “Bachelor” fiton kompetenca në zbatimin e planeve terapeutike që përcaktohen nga mjeku fizioterapist dhe mjekë të tjerë të specialiteteve të ndryshme.
Studentët pas diplomimit janë të aftë të trajtojnë pacientë me probleme të ndryshme shëndetësore, duke e përshtatur terapinë rehabilituese ushtrimore në varësi të diagnozës dhe të gjëndjes së tyre individuale shëndetësore.